Kryteari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, pezulloi përkohësisht dorëzimin e dokumentave të taksave të ish-Presidentit Trump për një komision të Kongresit.
Vendimi i jep kohë Gjykatës së Lartë për të peshuar çështjet ligjore lidhur me apelimin urgjent të zotit Trump të paraqitur të hënën në këtë gjykatë.
Nëse nuk do të kishte ndërhyrë gjykata, Departamenti i Thesarit mund t’i kishte dorëzuar që të enjten dokumentat tatimore të zotit Trump një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.
Zoti Roberts i dha afat komisionit deri më 10 nëntor për t'u përgjigjur. Kryteari i Gjykatës së Lartë është përgjegjës për çështjet urgjente të apelit, ndërsa në kryeqytetin amerikan vazhdon beteja që nga viti 2019 për të siguruar qasje në të dhënat e taksave të zotit Trump.
Gjykatat më të ulëta janë shprehur se komisioni ka autoritet të gjerë për të patur qasje në dokumentat e deklarimit të taksave, ndërsa kanë hedhur poshtë pretendimet e zotit Trump për tejkalim kompetencash.
Nëse zoti Trump mund ta bindë gjykatën më të lartë të vendit që të ndërhyjë në këtë çështje, ai mund të arrijë të shtyjë marrjen e një vendimi përfundimtar deri në fillimin e punimeve të Kongresit të ardhshëm në janar. Por, nëse republikanët rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e 8 nëntorit, ata mund ta hedhin poshtë kërkesën.
Shtyrja e përkohëshme e vendimit nga zoti Roberts është vendimi i tretë i marrë gjatët ditëve të fundit për çështje që lidhen me zotin Trump.
Të martën Gjykata e Lartë hodhi poshtë një kërkesë të Senatorit Lindsey Graham për të shmangur detyrimin për të dëshmuar para një jurie në shtetin Xhorxhia e cila po heton për ndërhyrje të mundshme të paligjshme nga zoti Trump dhe aleatët e tij në zgjedhjet e vitit 2020 në atë shtet. Senatori republikan, Lindsey Graham, i cili përfaqëson Karolinën e Jugut, pretendon se si anëtar i Kongresit ai mbrohet në bazë të Kushtetutës nga marrja në pyetje në hetime.
Gjithashtu në Gjykatën e Lartë është edhe një çështje urgjente apelimi nga kryetarja e Partisë Republikane të Arizonës, për të parandaluar dorëzimin e tabulateve telefonike një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton trazirat e 6 janarit 2021 në Kongres.
Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetari i rij, demokrati i shtetit Masaçusets Richard Neal, kërkuan në vitin 2019 që të kishin qasje tek revizioni i agjencisë federale të taksave lidhur me tatimet e zotit Trump për të parë nëse ish-presidenti kishte vepruar në përputhshmëri me ligjin.
Sipas një ligji federal, agjencia e taksave duhet që një grupi ligjvënësish të lartë t’i ofrojë qasje tek tatimet e çdo taksapaguesi.
Departamenti i Drejtësisë, gjatë administratës së Presidentit Trump, kishte mbrojtur një vendim të Sekretarit të Thesarit Steven Mnuchin për të bllokuar Kongresin që të kishte qasje tek taksat. Sekretari i atëhershëm, Mnuchin, argumentoi se dokumentat kërkoheshin nga demokratët për arsye partiake, çka rezultoi në një proces gjyqësor.
Pasi Presidenti Joe Biden mori detyrën, komisioni përsëriti kërkesën lidhur me tatimet e zotit Trump duke kërkuar të dhëna shtesë nga vitet 2015-2020. Shtëpia e Bardhë mbajti qëndrimin se kërkesa ishte e vlefshme dhe se Departamenti i Thesarit nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pajtohej. Zoti Trump reagoi duke i kërkuar gjykatës të ndalonte dorëzimin e dokumentave.
Prokurori i atëhershëm i Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance Jr., siguroi kopje të të dhënave tatimore personale dhe të biznesit të zotit Trump si pjesë e një hetimi penal. Edhe ai rast shkoi në Gjykatën e Lartë, e cila hodhi poshtë argumentin e zotit Trump se ai gëzonte imunitet si president.
Së fundmi, zoti Trump i kishte kërkuar Gjykatës së Lartë që të ndërhynte në një mosmarrëveshje ligjore që lidhej me kontrollin nga FBI-ja të banesës së tij në Florida në muajin gusht, apel i cili u hodh poshtë nga gjykata.