Këshilli i Sigurimit të OKB-së hodhi poshtë të mërkurën përpjekjet e Rusisë për të krijuar një komision për të hetuar pretendimet e saj të pabaza se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara po kryejnë aktivitete "biologjike ushtarake" që bien ndesh me konventën që ndalon përdorimin e armëve biologjike.
Rezoluta ruse u mbështet vetëm nga vota e Kinës. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca votuan kundër kërkesës ruse ndërsa 10 vendet e tjera të këshillit abstenuan. Rezoluta nuk u miratua sepse nuk arriti të merrte minimumin e kërkuar të mbështetjes prej nëntë votash.
Votimi me dy vota pro, tre kundër dhe abstenimi i dhjetë vendeve të tjera pasqyron kundërshtimin dhe skepticizmin e vazhdueshëm të Këshillit të Sigurimit lidhur me veprimet e Rusisë që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës më 24 shkurt.
Këshilli ka qenë i paralizuar nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi kundër ofensivës ushtarake të Kremlinit për shkak të së drejtës së vetos nga Rusia.
Javën e kaluar Rusia e shpërndau projekt-rezolutën dhe një dokument 310 faqesh tek anëtarët e këshillit, me pretendimet se në laboratorët ukrainas po zhvilloheshin armë biologjike me mbështetjen e Pentagonit.
Pretendimi fillestar i Rusisë, për laboratorë sekretë amerikanë të luftës biologjike në Ukrainë në mars, është kundërshtuar nga shkencëtarë të pavarur, udhëheqës ukrainas dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit.
KS hedh poshtë kërkesën ruse për hetimin e armëve biologjike në Ukrainë
