MEXICO CITY – Operacioni për kapjen e Ovidio Guzmanit, djalin e bosit të burgosur të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman, shkaktoi përleshje me armë që e shndërruan qytetin verior Culiacan në një zonë lufte, njoftuan autoritetet të premten.
Sekretari i Mbrojtjes Luis Cresencio Sandoval bëri një përshkrim të luftimeve gjatë të cilave u vranë 10 ushtarakë dhe 19 anëtarë të dyshuar të kartelit të drogës Sinaloa. Zoti Sandoval tha se anëtarët e kartelit kishin qëlluar ndaj forcave të armatosura me mitralozë të kalibrit .50 .
Ushtria u përgjigj duke thirrur të enjten helikopterët luftarakë Blackhawk për të sulmuar një autokolonë prej 25 mjetesh të kartelit, ndër ta edhe kamionë mbi të cilët ishin montuar mitralozë.
Në vazhdim, anëtarët e kartelit qëlluan ndaj helikopterëve ushtarakë, duke detyruar dy prej tyre që të uleshin me “dëmtime domethënëse”, tha zoti Sandoval. Më pas, anëtarët e kartelit shkuan në aeroportin ndërkombëtar të qytetit për të sulmuar avionë ushtarakë dhe civilë.
Një avion civil i linjave ajrore u godit. Ata qëlluan edhe ndaj godinave të aeroportit në përpjekje për t’ia ndaluar autoriteteve dërgimin jashtë qytetit të bosit të arrestuar. Por, tha zoti Sandoval, autoritetet e kishin parashikuar një rezistencë të tillë dhe e kishin transportuar Ovidio Guzmanin për në Mexico City me një helikopter ushtarak.
Qeveria meksikane e kapi këtë personazh të rëndësishëm të karteleve vetëm pak ditë përpara vizitës së Presidentit amerikan Joe Biden.
Samuel González, i cili themeloi zyrën e prokurorit special të Meksikës për krimin e organizuar në vitet 1990, tha se kapja e Guzmanit ishte një "dhuratë" përpara vizitës së Presidentit Biden. Qeveria meksikane “po punon për të patur një vizitë të qetë”, tha ai.
Juan Carlos Ayala, banor i qytetit Culiacan dhe profesor i Universitetit Sinaloa që studion sociologjinë e trafikut të drogës, tha se Ovidio Guzmán ishte një objektiv i dukshëm të paktën që nga viti 2019.
“Fati i Ovidios ishte vendosur. Për më tepër, ai u identifikua si trafikuesi më i madh i fentanilit dhe udhëheqësi më i dukshëm i kartelit Chapos”.
Të shtënat e vazhdueshme vranë një polic në Culiacan dhe plagosën 17 oficerë policie dhe 35 ushtarakë.
Zoti Ayala tha se atmosfera ishte më e qetë të premten, "por ka ende shumë automjete të djegura që bllokojnë rrugët".
Përmasat e dhunës së të enjtes ishin të tilla që guvernatori i Sinaloas, Ruben Rocha tha se persona të armatosur të kartelit u shfaqën në spitalet e zonës, duke u përpjekur të rrëmbenin mjekët dhe t'i merrnin ata për të mjekuar luftëtarët e plagosur. Zoti Rocha tha se personat e armatosur do të mjekoheshin nëse paraqiteshin në spitale, por se ata nuk duhet të përpiqen të rrëmbejnë personelin mjekësor.
"Arriti deri në atë pikë sa në një moment mjekët po thonin se 'ne po ikim nga këtu'," kujton zoti Rocha, duke thënë se policia kishte përforcuar masat e sigurisë dhe i kishte bindur mjekët të qëndronin.
Banorët e qytetit Culiacan publikuan video në mediat sociale ku tregohen autokolona personash të armatosur me kamionçina dhe makina të larta që lëviznin të enjten nëpër bulevardet e qytetit. Të paktën një autokolonë përfshinte një kamion me një armë të rëndë të montuar në pjesën e pasme.
Pavarësisht dhunës, tha zoti Ayala, shumë banorë të Culiacanit mund ta mbështesin ende kartelin.
Kjo mund të jetë për shkak të parave që banda sjell në rajon, por edhe sepse vendasit e dinë se edhe pas tërheqjes së forcave federale, karteli do të jetë ende aty. Sado i keq që është, karteli ka siguruar të paktën një stabilitet relativ.
Zoti Guzman u padit nga Shtetet e Bashkuara me akuza për trafik droge në vitin 2018. Sipas të dyja qeverive, ai kishte marrë një rol në rritje mes vëllezërve të tij në biznesin e babait të tyre, së bashku me shefin e kartelit prej një kohe të gjatë, Ismael "El Mayo" Zambadan.
Sekretari i Punëve të Jashtme Marcelo Ebrard konfirmoi se qeveria kishte marrë një kërkesë në vitin 2019 nga Shtetet e Bashkuara për arrestimin e Guzmanit për qëllime ekstradimi. Ai tha se kërkesa do të duhej të përditësohej dhe përpunohej, por ai shtoi se fillimisht zotin Guzman e pret një çështje e hapur në Meksikë.
Ismael Bojorquez, drejtor i gazetës lokale të lajmeve Riodoce, e specializuar në mbulimin e trafikut të drogës në zonë, tha se reagimi i dhunshëm kishte të bënte me qëndrimin më pak agresiv të presidentit ndaj krimit të organizuar.
“Ata (kartelet) kanë përfituar nga këto katër vite për t'u organizuar, armatosur, për të forcuar strukturat e tyre, financat e tyre”, tha ai. “Unë besoj se ka më shumë armë se tre vjet më parë. Të gjitha ushtritë e krimit të organizuar janë forcuar, jo vetëm të Chapitos, dhe ky është çmimi që shoqëria po paguan për këtë strategji të qeverisë federale”.
Në aeroportin e Culiacan-it, një fluturim komercial priste për një mundësi për t'u ngritur pasi dy aeroplanë të mëdhenj ushtarakë u ulën me forca të armatosura në bord, së bashku me tre ose katër helikopterë ushtarakë, dhe marinsat dhe ushtarët filluan të vendoseshin përgjatë perimetrit të pistës.
Kur fluturimi i linjës ajrore më në fund po përgatitej të nisej, pasagjerët dëgjuan të shtëna armësh në distancë. Brenda 15 sekondave tingulli ishte befas më intensiv dhe shumë më pranë, dhe pasagjerët u shtrinë në dysheme, thanë disa prej tyre.
Ata thanë se nuk e dinin se avioni ishte goditur me armë zjarri derisa i informoi një stjuardesë. Askush nuk u lëndua, por avioni u tërhoq me nxitim për në terminal.