Lidhje

Spiun apo jo? Ish-polici në Nju Jork kërkon rikthimin në punë


Baimadajie Angwang në zyrën e avokatit të tij (1 shkurt 2022)
Baimadajie Angwang në zyrën e avokatit të tij (1 shkurt 2022)

GARDEN CITY, Nju Jork – Në një ditë shtatori në vitin 2020, oficeri i policisë i qytetit të Nju Jorkut, Baimadajie Angwang, përqafoi fëmijën dhe po nisej me makinë për në punë, kur u rrethua nga agjentë të armatosur të FBI-së.

I shtangur, ai dëgjoi se ishte nën arrest, me akuzën se vepronte si një agjent sekret për Kinën.

Zoti Angwang, i cili ka shërbyer më parë edhe në forcat e marinsave amerikanë, u mbajt gjashtë muaj në një burg federal. Më pas, ai u lirua me kusht, ndërsa pritej të bëhej gjyqi për akuzat se ai i jepte konsullatës kineze në Nju Jork informacione në lidhje me komunitetin tibetian të Nju Jorkut.

Por papritmas gjithçka mori fund. Prokurorët federalë në Bruklin tërhoqën akuzat më 19 janar, duke thënë vetëm se po vepronin “për të mirën e drejtësisë”. Ata nuk dhanë shpjegime të mëtejshme.

Tashmë zoti Angwang thotë se ka dëshirën të rikthehet në forcën policore, nga ku u pezullua pa të drejtën e pagës, ndërkohë që çështja ishte në vazhdim. Përtej kësaj, ai më tepër dëshiron përgjigje.

“Përse filluat hetime për mua? Përse i rrëzuat papritur të gjitha akuzat?”, thotë zoti Angwang, i cili lindi në Tibet, por fitoi azil politik në Shtetet e Bashkuara kur ishte adoleshent.

“Duam një shpjegim. E kërkojmë pasi ma keni borxh”, u shpreh ai gjatë një interviste në zyrën e avokatit të tij. “Nuk mundeni thjesht të më fusni në burg për gjashtë muaj dhe të më shkatërroni emrin, reputacionin dhe t’i jepni gjithë këtë stres familjarëve dhe miqve të mi dhe pastaj të thoni ‘për të mirën e drejtësisë’. Do ta lini me kaq?”.

Duke folur për gazetarët së bashku me avokatin (19 janar 2023)
Duke folur për gazetarët së bashku me avokatin (19 janar 2023)

Partia Komuniste e Kinës e ka qeverisur Tibetin për shtatë dekada dhe Kina pretendon se një pjesë e madhe e Himalajave ka qenë pjesë e territorit të saj që nga shekulli 13. Por, marrëdhënia ka qenë e tensionuar dhe shumë tibetianë, disa prej tyre në diasporë, kërkojnë pavarësinë.

Akuza fillestare ndaj zotit Angwang ishte se po i jepte informacion zyrtarëve kinezë për grupet pro-pavarësisë së Tibetit në Nju Jork në vitin 2018.

Në dokumentat e paraqitura në gjykatë, prokurorët deklaronin se zoti Angwang ishte një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ai u akuzua se veproi si një agjent i huaj i paregjistruar, se ka bërë deklarata false përpara hetuesve federalë, ka penguar drejtësinë dhe ka mashtruar nëpërmjet transfertave bankare. Nuk pati aludime për spiunazh, që do të kishte qenë një akuzë shumë më serioze.

Gjatë përpilimit të dosjes fillestare për zotin Angwang, prokurorët thonin se ai ofronte të dhëna zbulimi për tibetianët, që mund të bashkëpunonin me zyrtarët kinezë dhe i këshillonte ata se si të zgjeronin ndikimin kinez në Nju Jork nëpërmjet “fuqisë së butë”.

Më konkretisht thuhej se ai po përpiqej të arrinte një marrëveshje sipas të cilës atij do t’i jepej një vizë 10-vjeçare për të shkuar në atdheun e tij, në shkëmbim të informacionit të marrë nga survejimet dhe të qasjes tek departamenti i policisë.

Çështja hetimore bazohej pjesërisht tek telefonatat e regjistruara, ku sipas autoriteteve, zoti Angwang i drejtohej një zyrtari konsullor me termin “vëlla i madh” dhe “bos”.

Zoti Angwang i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se fjalët e tij ishin përkthyer keq nga dialekti mandarin, ose ishin marrë pa rrethana shpjeguese. Ai thotë se krijoi miqësi sipërfaqësore me zyrtarët kinezë pasi i duhej një vizë që të vizitonte atdheun e tij, në mënyrë që prindërit e tij dhe të afërmit të takoheshin më në fund me vajzën e tij.

Gjykatësi kërkoi shpjegime se përse po rrëzoheshin akuzat, por prokurorët federalë refuzuan të ndajnë informacione të klasifikuara që mund të kishin dhënë ndonjë sqarim.

Zyra e prokurorisë në Bruklin nuk pranoi të komentojë.

Gjykatësi pranoi ta mbyllë çështjen, por pa garantuar se qeveria nuk do të ngrejë akuza sërish – një veprim i mundshëm, por që avokati i zotit Angwang thotë se nuk ka gjasa të ndodhë.

Avokati John Carman thotë se klienti i tij u përfshi nga përpjekjet gjatë administratës së ish-Presidentit Trump për të çrrënjosur agjenturat kineze në mbarë institucionet amerikane, në sektorët ekonomikë, akademikë dhe fusha të tjera të jetës publike. Zoti Angwang mendon se pati doza racizmi duke u vendosur në objektiv të njerëzve me lidhje kineze.

Avokati John F. Carman
Avokati John F. Carman

“Mendoj se nganjëherë sistemi ynë i drejtësisë penale del nga shinat kur ka ndonjë aspekt që lidhet me publicitetin dhe politikën. Ky rast i pati të dyja”, thotë zoti Carman.

Zoti Angwang i vizitoi për herë të parë Shtetet e Bashkuara kur ishte adoleshent, nëpërmjet një vize për shkëmbime kulturore. Ai u kthye në Tibet, por më vonë u rikthye në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ishte arrestuar dhe rrahur nga autoritetet kineze. Ai u strehua në shtëpinë e xhaxhait të tij në Kuins dhe iu dha statusi i azilantit në moshën 17-vjeçare.

Në vendin e tij të ri, zoti Angwang iu bashkua marinsave dhe shërbeu në Afganistan. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, ai hyri në radhët e rezervistëve të ushtrisë dhe u regjistrua në akademinë policore.

Ai tha se kjo ishte mënyra e tij për të shpërblyer vendin që e kishte trajtuar kaq mirë.

Pas tërheqjes së akuzave, ai thotë se dëshiron të rifitojë imazhin e mirë në radhët e komunitetit tibetian, anëtarët e të cilit vazhdojnë të dyshojnë për të.

Duke dalë nga gjykata pas rrëzimit të akuzave (19 janar 2023)
Duke dalë nga gjykata pas rrëzimit të akuzave (19 janar 2023)

“Jam shumë krenar për prejardhjen time. E dashuroj kulturëm dhe komunitetin tim”, thotë zoti Angwang. Ai thotë se u cilësua me pa të drejtë si një tradhëtar i trefishtë.

“Pra, a jam tradhëtar i vendit tim të lindjes? A jam tradhëtar i Amerikës? A jam tradhëtar i komunitetit tibetian – nuk e kam tradhëtuar kurrë. Nuk kam tradhëtuar ndonjëherë dikë – miqtë e mi tibetianë, miqtë e mi amerikanë, askënd”.

Norbu Choezung, president i Komunitetit Tibetian të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, një organizatë me gati 10 mijë anëtarë me prejardhje tibetiane, vazhdon të tregohet i kujdesshëm. Edhe ai dëshiron që qeveria të japë më shumë detaje për arsyet përse tërhoqi akuzat.

“Ngjall dyshime”, tha zoti Choezung. “Si komunitet ne sigurisht që duam të gërmojmë më thellë, se përse u tërhoqën akuzat për të dhe, se si ndodhën këto gjëra”.

Gjykatësi i çështjes Eric Komitee, mbeti me pyetje pa përgjigje, por thotë se është i kënaqur që makthi mori fund për zotin Angwang.

“Në disa mënyra është rast i i thjeshtë, por në disa mënyra të tjera, në veçanti për shkak të sfondit ligjor për momentin, është edhe çështje e komplikuar”, tha gjykatësi, duke vënë gjithashtu në dukje “fanfarën” që shoqëroi këtë rast.

“Është për të ardhur keq sigurisht që zoti Angwang kaloi kaq shumë kohë në paraburgim”, tha gjykatësi, “por, siç thuhet, më mirë vonë se kurrë”.

XS
SM
MD
LG