Furra gjermane e bukës mbyllet pas 90 vitesh, ndërsa rriten kostot e energjisë 

Your browser doesn’t support HTML5

Furra gjermane e bukës mbyllet pas 90 vitesh

Për 90 vite, familja e zotit Engelbert Schlechtrimen ka pjekur bukë dhe keke me çokollatë në qytetin Këln, në perëndim të Gjermanisë. Muajit e ardhshëm, furrat do të fiken njëherë e përgjithmonë, pasi nuk i përballojnë dot më çmimet në rritje të energjisë pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Gjyshërit e zotit Schlechtrimen e hapën furrën në qytetin Këln përpara Luftës së Dytë Botërore.

58-vjeçari mori përsipër drejtimin e biznesit 28 vite më parë nga babai i tij dhe e shndërroi në një dyqan me prodhime organike që përdor receta tradicionale pa kimikate të shtuara.

Your browser doesn’t support HTML5

Furra gjermane e bukës mbyllet pas 90 vitesh

Megjithë këto novacione, furra dhe dy dyqanet e familjes së tij me 35 punonjës nuk do ta vazhdojnë dot më aktivitetin e ushtruar prej gati një shekulli.

Ky biznes është vetëm një ndër viktimat e krizës energjitike në Evropë të nxitur nga ndërprerjet e furnizimit me gaz natyror nga Rusia, që përdoret për të ngrohur shtëpitë, për të prodhuar elektricitet dhe për të furnizuar fabrikat.

Rritja e çmimeve të energjisë ka rënduar më tej bizneset që përballen me rritje të kostove të tjera ndërsa vazhdon rritja e inflacionit.

“Presioni ka qenë jashtëzakonisht i lartë gjatë javëve dhe muajve të fundit. Nga vjen ky presion? Vjen nga fakti se janë krijuar disa kriza të mëtejshme. Për shkak të koronavirusit, ishim mësuar me krizat, si p.sh. mbyllje të bizneseve apo të sektorit të shërbimeve tona, mungesa në personel, periudha të shumta lejesh shëndetësore”, thotë zoti Schlechtrimen.

Ai nënvizon se kostot e materialeve janë rritur me 50%.

“Tashmë shtohet edhe kriza e kostove të energjisë. Deri më tani, kemi parë vetëm një rritje prej rreth 70%, pasi furrat punojnë me naftë. Ekziston frika se do të ketë një rritje të çmimeve me katërfish”, thotë ai.

Zoti Schlechtrimen u përpoq të kursejë energji kur të ishte e mundur, por kjo nuk mjaftoi për të balancuar shpenzimet në rritje.

Ai ngriti edhe çmimet e produkteve të tij për të mbuluar kostot në rritje, por klientët, të cilët gjithashtu po ndjenin vështirësitë nga inflacioni në rritje, filluan të largoheshin dhe u orientuan drejt dyqaneve që shisnin produkte me çmime më të ulëta të prodhuara me shumicë në rrugë industriale.

Me kalimin e kohës, zotit Schlechtrimen iu desh të pranojë se nuk po nxirrte më fitimin e duhur për të mbajtur biznesin e tij.

Ai nuk është i vetmi furrëtar që po vështirësohet të sigurojë jetesën në Gjermani. Në mbarë vendin, biznese familjare furrash nuk po mbulojnë dot shpenzimet.

“Shumë biznese në sektorin e furrave janë të shqetësuara se si do t’i shtyjnë muajt në vazhdim. Po përballen me një cunami kostosh. Kemi kosto thelbësore nga më të ndryshmet... Do të donim të shihnim një paketë shpëtimi financiar për furrat tona, një ndihmesë nga qeveria federale që do të jepet me efikasitet, shpejtësi dhe pa burokracira”, thotë Friedemann Berg, drejtor i Konfederatës së Furrëtarëve Gjermanë.

Qeveria gjermane njoftoi këtë muaj një tjetër fond prej 65 miliardë Eurosh në kuadrin e masave të reja për të lehtësuar barrën e inflacionit dhe çmimeve të larta të energjisë për konsumatorët.

E megjithatë, për personat si zoti Schlechtrimen, ndihma mund të vijë tepër vonë.