BRUKSEL – Udhëheqësit evropianë kanë shtuar Bosnjën në listën zyrtare të vendeve kandidate për t’u anëtarësuar në unionin me 27 vende anëtare, thanë diplomatët të enjten.
Ky vendim u mor pavarësisht kritikave të vazhdueshme për mënyrën e qeverisjes së vendit.
Tre diplomatë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se Bosnjës iu dha statusi i vendit kandidat. Ata folën në kushte anonimiteti, pasi konkluzionet e takimit të udhëheqësve të BE-së ku po diskutohej çështja, nuk janë publikuar ende.
Miratimi është vetëm një formalitet pasi ministrat e jashtëm evropianë ranë dakort unanimisht më herët gjatë javës për të pranuar rekomandimin e krahut ekzekutiv për t’i dhënë Bosnjës statusin e vendit kandidat.
Lufta në Ukrainë ka shërbyer si përshpejtues për procesin e zgjerimit të BE-së. Udhëheqësit e BE-së dhanë shenja më konkrete këtë muaj për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të anëtarësohen, se kanë një të ardhme në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit në Shqipëri, BE-ja “rikonfirmoi angazhimin e saj të plotë dhe pa ekuivok për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor” dhe bëri thirrje për përshpejtimin e bisedimeve me vendet aspirante.
Ministrat e jashtëm të BE-së të mbledhur në Bruksel
Zgjerimi i BE-së u ngadalësua gjatë viteve të fundit. Por që kur Rusia sulmoi Ukrainën në fund të shkurtit, zyrtarët e BE-së kanë theksuar se rritja e angazhimit me vendet e Ballkanit Perëndimor ishte më thelbësore se kurrë më parë për të ruajtur sigurinë e Evropës.
BE-ja gjithashtu pati rënë dakort në qershor që Moldavia dhe Ukraina të bëheshin vende kandidate për anëtarësim dhe tha se Gjeorgjia do të kualifikohej për anëtarësim pasi vendi të përmbushë objektivat e përcaktuara nga Komisioni Evropian.
Komisioni Evropian pati rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjën në tetor, mbi gjashtë vite pasi ky vend pati aplikuar zyrtarisht dhe gati tre dekada pasi doli nga një luftë ndëretnike në periudhën 1992-1995 që shkaktoi mbi 100 mijë viktima.
Pasi një vend bëhet vend kandidat, sërish mund të duhen vite përpara se të realizohet anëtarësimi. Për herë të fundit, BE-ja pranoi anëtare të re Kroacinë në vitin 2013. Rrugëtimi drejt anëtarësimit është një proces i zgjatur, pasi vendet duhet plotësojnë një seri kushtesh të detajuara ekonomike dhe politike.
Komisioneri europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit 2022
Komisioneri për Zgjerimin i BE-së, Oliver Varhelyi tha në tetor se Bosnjës i duheshin reforma për çështje si gjyqësori, luftimi i korrupsionit, si dhe ndryshime kushtetuese dhe elektorale. Pak progres u arrit për këto çështje gjatë viteve të fundit.
Megjithëse Bosnja shprehu dëshirën për t’iu bashkuar BE-së që në vitin 2013, udhëheqësit etnikë të vendit nuk kanë treguar deri më tani vullnetin për të lënë mënjanë ndasitë dhe për të zbatuar reformat e nevojshme. Udhëheqësi pro-rus i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka kërcënuar gjithë e më shumë se do të ndajë pjesën e Bosnjës të drejtuar nga serbët, nga pjesa tjetër e vendit.
Zoti Dodik shprehu vullnetin për bashkëpunim me BE-në për reformat e nevojshme, në këmbim të mbështetjes financiare.
“BE-ja është partneri ynë, jo komandanti; ne nuk marrim urdhëra”, tha zoti Dodik. Megjithatë, ai shtoi se “nëse janë të gatshëm të përkufizojnë saktësisht se çfarë duhet të bëjmë ne gjatë katër viteve të ardhshëm dhe të na japin fonde në këmbim të kësaj, ne do të punojmë për këtë”.